Satirike/ Babai vizionar, që mendon pak nga të gjitha për kombin?

5 min read

Nga Stavro Xhardha –

Në pasditen e 31 Dhjetorit, Edi iu afrua së shoqes dhe i dha një puthje të fundit. Ora shënonte gjashtë. Pasi mbathi këpucët e tij, mori të birin për dore, dhe iu drejtua derës.

  • Babi, ku po shkojmë? – e pyeti me kuriozitet djaloshi i vogël.
  • Deri tek kisha bir. Se po na presin – i përgjigjet Edi.
  • O babi, po a nuk kanë prift ata?
  • Jo bir, prifti qe sëmurë. Prandaj po shkoj unë. Kristjanët kanë nevojë për mua. Nuk i le dot.
    Me të shpërndarë bukën dhe verën tek besimtarët nën rrobat e priftit, Edi mori djaloshin për dore dhe iu drejtua portës së kishës.
  • Babi, ku po shkojmë? – e pyeti i biri përsëri.
  • Në xhami bir. Na presin besimtarët.
  • Babi, babi! Po a nuk kanë hoxhë ata?
  • Jo bir. Hoxha ka ikur e punon murator në Gjermani.
  • Po ti nuk je mysliman si mami. Kurse unë jam hebre o ba’. Si do falesh me ta?
  • Të falen ata bir, e unë do u lexoj kuran.
    Besimtarët ishin falur. Po prisnin Edin të recitonte hadithet e profetit. Por Edi kishte një plan tjetër. Ai recitoi kuranin duke i lënë gjithë besimtarët gojëhapur dhe të mahnitur. Besimtarët pasi e dëgjuan, i bënë sexhde Allahut dhe e falenderuan Atë për mrekullinë që kishin dëgjuar.
    Me të mbaruar tek xhamia, Edi hoqi fezin osman të mbështjellë me çallmë të bardhë, dhe iu drejtua derës së xhamisë.
  • Babi! Babi! Po tani ku po shkojmë?
  • Te News24 bir. Do korrigjojmë artikujt e Rakipllarit.
  • Babi, po a nuk kanë kryeredaktor ata?
  • Kanë bir. Por kryeredaktorët që kanë ata janë të paaftë. Vetëm unë u vi hakut atyre.
    Tek kontrolloi gjithë kryetitujt për ditën e nesërme, Edi filloi menjëherë t’i korrigjonte. Rakipllari i skuqur e shihte me plot kërshëri por dhe i vinte turp nga vetja se si kishte arritur që Edit mos t’i pëlqente asnjë nga titujt e gazetës. Me të gdhendur titujt e rinj fët e fët, Edi me të birin iu drejtua portës.
  • Babi. Po tani ku po vemi?
  • Te Mamaqi bir. Kam prova.
  • Babi, babi. Po nuk kanë aktorë ata?
  • Jo bir. Aktorët janë bërë politikanë qëkur xhaxhi Lali prishi teatrin. Vetëm unë mbeta.
    Xhirimet me Mamaqin mbaruan shumë shpejt. Edi e kishte përvetësuar tekstin mjeshtërisht. Roli i tij ishte i vështirë. Por nuk kishte vështirësi për Edin. Pasi u puth edhe me Mamaqin, Edi iu drejtura portës me djalin përdore.
  • Babi! U mërzita dhe kam uri. Po tani ku po shkojmë?
  • Te Dervish Hatixheja biro.
  • Po a nuk kanë dervish ata?
  • Jo bir. Dervishët ishin të gjithë në trans. T’u mbajmë pak ligjërim për baba Aliun, këput dhe ti ndonjë kofshë pule meqë ke uri.
    Duaja e Edit në tyrben e Dervish Hatixhesë shkoi për Ilir Metën. Sipas Edit, një ditë Iliri do të ishte aq besnik në politikë sa edhe në futboll, kur bën tifo për Sëlltikun.
  • Po tani o ba? Nuk do vemi në shtëpi tek mami?
  • Jo bir. Tani do vemi në gjykatë.
  • Gjykatë? Po pse? Ç’ka ndodhur?
  • Do fusim xhaxhi Saliun në burg.
  • O babi, po nuk kanë gjykatës ata?
  • Jo biri im. Gjykatësi nuk kaloi vetingun.
    Edi nuk e përdori fuqinë e tij. Mund edhe ta vriste por ishte burrë i mëshirshëm. Kështu, Edi dënoi me burg. Pasi hoqi rrobën e magjistrit juridik, Edi iu drejtua portës së gjykatës për të dalë.
  • Po tani babi? Prap ndonjë punë?
  • Te Fotinia bir.
  • Po Fotinia ç’ka?
  • I është prishur lavatriçja.
  • Po a nuk ka teknik lavatriçesh ky qytet?!
  • Jo bir. Punojnë të gjithë në call centera sot. Kush do i bëjë këto të tjerat?
    Fotinia i bëri një filxhan kafe, i dha edhe Zahos një çokollatë. Edi e refuzoi kafen. Nuk pinte kurrë në detyrë. E konsideronte rryshfet. Por çokollatën e djalit, meqë kishte uri e lejoi nga mëshira e tij. Lavatriçja u rregullua. Kishte vetëm një defekt të vogël. Tek u përqafua me Fotininë, Edi me të birin iu drejtuan portës.
  • Babi, më thuaj që për sot mbaruam!
  • Jo bir, kemi edhe një punë të fundit.
  • Po ç’punë o ba’. Unë dua të vete në shtëpi të shoh emisionet e fundvitit.
  • Do ta shohësh Live bir, jo nga ekrani. Atje po shkojmë.
  • Babi, po ç’do bëjmë ne aty?
  • Jam i ftuari special bir.
  • O babi, po a nuk kanë karagjoz ata?
  • Jo bir. Karagjoz në këtë dynja, jam vetëm unë.

Ndajeni këtë artikull tek miqtë tuaj:

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?
Na ndiqni në Facebook: https://www.facebook.com/PatriotikMedia/ Abonohuni në kanalin tonë në Rumble: https://rumble.com/user/NewsPatriotikMedia
Telegram Chanel: https://t.me/patriotikmedia Twitter: https://twitter.com/PatriotikMedia
“Nuk bëhesh gazetar për te qene, i njohur por për të qene i dobishëm” /PatriotikMedia

rreth autorit

You May Also Like

More From Author

+ There are no comments

Add yours