fbpx
Lajmet me te Klikuara

25 VJET – Në Paharrim, Kolonel Dritan Haxhiaj!

Read Time:3 Minute, 56 Second

Nga Pano Hallko –

Ndodh me pak njerëz, që edhe pse janë ndarë nga ne, vazhdojnë të rriten jo vetëm në moshë, por edhe në gradat e hierarkisë.
Në gradat e Hierarkisë së Vlerave, doemos. Po pse jo, kur ndodh që janë ushtarakë të rënë në krye të detyrës, e në moshë të re, ata vazhdojnë e ngjiten edhe në Hierarkinë e gradave.

Sepse në të gjitha gjuhët e botës, për ushtarakun kur bie në krye të detyrës, kurrë nuk thuhet: “vdiq”. Por thuhet:- RA!

Dhe Dëshmori i Atdheut Dritan Haxhiaj ra në krye të detyrës, më 19 Mars të vitit 1998. Ishte koha kur ende në vendin tonë shkopin e kishte qorri në dorë.

Koha kur vendi ende lëngonte nën plagët e vitit të mbrapshtë 1997, plagë të cilat kushedi se kur do mbyllen e do harrohen në këtë vend.

Kolonel Dritan Haxhiaj u lind më 23 Shkurt 1971.
Në një Familje jo rastësore, e në një vend jo rastësor.

U lind në familjen arsimdashëse, Bir i mësuesit Bilbil Haxhiaj dhe i Nefize Shkurtaj Haxhiaj.
Nëna e tij Nefizja, është Bija e burrit dinjitoz Hysen Shkurtaj, i cili i pati të rrallë ata që mund të krahasosheshin me të, në të gjitha drejtimet.

U lind në familje Dëshmori, sepse xhaxhai i tij ishte Dëshmor i Atdheut, ushtarak i rënë në krye të detyrës.
Pas mbarimit të shkollës së mesme “Hysen Çino” në Vranisht, ai mund të zgjidhte cilëndo degë për të studiuar në Universitet, për shkak të rezultateve të larta në mësime.

Por me dëshirë vendosi të studionte në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, që patëm.
Edhe në atë shkollë, ai shpalosi në mënyrë dinjitoze karakterin e tij, intelektin e tij, por edhe aftësitë fizike të tij.
Me gjendjen fizike, që e kishte pajosur Natyra dhe Geni nga vinte, prej të dy prindërve.
E dashuroi uniformën, e deshi detyrën e Oficerit dhe kurrë nuk e vlerësoi si një vend pune dhe aq.
Përkundrazi, e vlerësoi por edhe e përjetoi si një Mision të Shenjtë në shërbim të shtetit e të Atdheut.

Ai u bë pjesë e Forcave Elitë të Ushtrisë, pjesë e Batalionit Komando.

Dritani u shqua mes kolegëve të tij, për aftësi të padiskutueshme, për intelekt të lindur dhe të kultivuar, por edhe për vendosmëri në kryerjen e detyrës.

Vranishti, ai fshat i madh me përmasat e një qyteti nga popullsia dhe sipërfaqja, rrallë në Historinë e tij, ka vajtuar si në rastin e Dritan Haxhiajt.

Ka qenë rasti kur erdhi lajmi për rënien e Zenel Çelos, kur ka ardhur lajmi për rënien e Hysen Çinos, kur ka ardhur lajmi për rënien e Nazif Qerimit, lajmi për rënien e Maman Hasanaliajt, e ndonjë tjetër.

Ai u shpall “Dëshmor i Atdheut” me Vendimin nr. 27 të qeverisë shqiptare, më datën 14. 05.2004.
Por edhe Komanda, asnjëherë nuk ka ndodhur në ndonjë rast tjetër, që të bëhet aq natyrshëm pjesë e zisë dhe e dhimbjes së Familjes, ashtu si në rastin e Dritan Haxhiajt.

Ndodhën këto, sepse njerëzit përtej moshës shumë të re të Dëshmorit, vajtonin për Vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, për karakterin e tij të fortë, për gjithçka ishte dhe mbetet Dëshmori i Atdheut, Dritan Haxhiaj.

KOLONELI 52 VJEÇAR

Siç thamë më lart, këta njerëz të paktë janë të “dënuar” të jetojnë, madje të ngjitin shkallët e jetës dhe të karrierës, edhe pse janë larguar.

Dhe kjo nuk thuhet për skemë fjale.

Përkundrazi, është realitet dhe shkruhet e do shkruhet ndër breza.
Sepse çdo vit, reparti ku ai shërbeu dhe ra, rreshtohet dhe shërben, edhe duke pasur frymëzim fotografinë e Dritanit, duke e nderuar atë, për Aktin që ai kreu.

Sot, në atë repart, nuk ka shokë të tij.

Por brezat njohin Historikun e Repartit, e prandaj edhe sot ata e ndeuan atë duke u përulur para emrit të tij, për veprën e tij.

Prandaj edhe sot, truproja e nderit të atij reparti, në kuadrin e 25 vjetorit të rënies, nderoi me Ceremoni Ushtarake oficerin e rrallë Dritan Haxhiaj.

Ky nderim, do të vazhdojë në jetë të jetëve, sa kohë që kombi do të ketë Ushtri, e për sa kohë Ushtria ka si pika referimi Vlerat e vërteta, ushtarakët e rënë në krye të detyrës.

Ne të gjallët, qoftë edhe moshatarët e tij në radhët e Forcave të Armatosura, jemi njerëz të vdekshëm.
Edhe bashkëmoshatarët e tij, një ditë do largohen nga shërbimi ushtarak, e një ditë do dalin në pension, për të vazhduar Ciklin e Jetës, si kushdo në këtë botë.

Por shumë të paktë janë ata, që mbeten Pika Referimi për brezat, e Burim Frymëzimi për ta.
Njëri nga këta, të paktët, është dhe mbetet Dëshmori i Atdheut, Oficeri Dritan Bilbil Haxhiaj.
I PAVDEKSHËM, DËSHMORI I KOMBIT!

/PatriotikMedia

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

rreth autorit

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »
error: Materiali eshte i mbrojtur !!