Një kompani kineze energjetike i dërgoi një pagesë prej 3 milionë dollarësh një kompanie në pronësi të një bashkëpunëtori të familjes Biden, shkruan gazeta Daily Mail.
“Zbulimi është bërë nga Komisioni i fuqishëm i Mbikëqyrjes, pasi Departamenti i Thesarit dorëzoi raporte për aktivitetin e dyshimtë të familjes së parë,” shkruan gazeta.
Kryetari i këtij komisioni të Kongresit, James Comer, tha në një deklaratë për Daily Mail se paneli i tij do të përdorë dokumentet bankare të marra rishtazi për ‘të ndjekur gjurmët e parave’ dhe për të përcaktuar nëse presidenti Joe Biden ishte kompromentuar.
Drejtuesja e Departamentit të Thesarit, Janet Yellen ka dorëzuar më në fund materialin e kërkuar te republikanët.
“Pagesa masive u bë vetëm disa muaj pasi Biden përfundoi mandatin e tij si zëvendëspresident. Pagesa shkoi për kompaninë e John ‘Rob’ Walker. Walker dyshohet se ka formuar një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë kineze CEFC, e cila është një konglomerat energjetik kinez i falimentuar”, shkruan gazeta.
“Sipas dokumenteve bankare që kemi marrë tashmë, ne e dimë se një kompani në pronësi të një bashkëpunëtori të Biden ka marrë një pagesë direkte prej 3 milionë dollarësh nga një kompani energjetike kineze dy muaj pasi Joe Biden u largua nga posti i zëvendëspresidentit. Menjëherë pas kësaj, qindra mijëra dollarë pagesa shkuan për anëtarët e familjes Biden”, tha Comer.
Sipas tij, ministrja e Thesarit, Yellen pranoi të dorëzonte materialet vetëm pasi ai e kërcënoi se do mbante një seancë dëgjimore për këtë çështje dhe do bënte një intervistë të transkriptuar.
Kompania kineze CEFC është një kompani ku ka qenë i punësuar edhe Dorian Duçka, këshilltari informal i kryeministrit Edi Rama. Madje kjo gjë përmendet në padinë e ngritur ndaj ish-agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Mediat amerikane kanë zbuluar se Duçka ka lidhje me djalin e diskredituar të presidentit amerikan, Hunter Biden.
Opozita shqiptare ka denoncuar se Duçka e ka lidhur Edi Ramën me kinezët, duke e dërguar me avion personal në Kinë.
Së fundmi, mediat shqiptare kanë zbuluar se kinezët e CEFC kanë sponsorizuar edhe ekspozitën e Edi Ramës në Hong Kong.
Dorian Duçka konsiderohet nga mediat ndërkombëtare jo vetëm këshilltari hije i Edi Ramës, që lidh fijet me mega-skandalin e Charles McGonigal, por edhe si njeriu që e lidh Ramën edhe me emra të tjerë të korrupsionit ndërkombëtar.
Madje mediat e mëdha amerikane raportojnë se Dorian Duçka mund të jetë fija që lidh skandalin e Charles McGonigal me djalin e diskredituar të presidentit amerikan, Hunter Biden. Para disa kohësh, Duçka i kishte dërguar një ftesë në rrjetet sociale, ndërsa më vonë pati një email të shkëmbyer mes Duçkës dhe Biden.
Por rrjetet sociale duket se e lidhin Duçkën edhe me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Kjo e fundit është ndjekëse e Duçkës në rrjetet sociale, më konkretisht në Instagram, ku Kim është aktive.
Edhe pas shpërthimit të skandalit të rëndë, Kim vazhdon të jetë ndjekëse e ‘sekserit’ ndërkombëtar të aferave të Ramës.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?
Na ndiqni në Telegram Chanel këtu: https://t.me/patriotikmedia si dhe Twitter: https://twitter.com/PatriotikMedia
“Nuk bëhesh gazetar për te qene, i njohur por për të qene i dobishëm”
/PatriotikMedia
Average Rating