Nga Kreshnik Osmani –
Më 24 shkurt 2022 Vladimir Putin kafshoi në fyt Rendin Botëror qe nuk i hynte me ne pune as vete Perendimit, dhe i dha fund ndoshta njëherë e përgjithmonë epokës 70 vjecare relativisht të paqtë të Evropës. Ndërprerja e gazit dhe e naftës për Evropën dhe e ushqimeve për më shumë se 8 miliadë banorë të Planetit, kanë ndryshuar përfundimisht trajektoren tashmë plotësisht të paparashikueshme të Njerëzimit. Britmat e civilëve të pafajshëm në Mariupol dhe në Bucha na kujtojnë menjëherë Srebrenicën, Dresden, masakrën naziste në Oradour Sur Glane, në Francë, dhe britmat e grave dhe të fëmijëve në Kosovë që iu caheshin barqet nga makineria vrasëse e Milloshevicit.
Sirenat e alarmit që ndjehen në Ukrainë cdo natë, janë ndjerë një natë më parë në Kosovë, për t’i treguar të gjithëve se hija e vdekjes dhe e luftës në botën e re tashmë plotësisht të ndryshuar vjen rrotull si një re e zezë bashkë me vjeshtën që është në derë. Bota ka ndryshuar dhe nuk do të jetë më kurrë ajo që ka qenë deri më sot, pavarësisht se si mashtron politika për nevojat e saj të ditës. Evropa dhe brezi i paqes atje, tashmë e kanë kuptuar plotësisht brishtësinë e paqes dhe menyren se si një luftë disa mijëra kilometra larg oborrit të saj të braktisur me vendim politik, ndikon direkt në bombardimin me atom te portofolit te tyre dhe në cilësinë e jetës.
Amerika dhe Rusia me Kinën kanë nisur një betejë agresive në pjesën më të madhe të kontinenteve dhe po kërkojnë prej të gjitha vendeve të botës të rrjeshtohen, në Rendin e Ri Botëror që po lind se cilën anë do të mbajnë.
Shqiptarët e kanë zgjedhur pa asnjë mëdyshje anën e tyre, por historia nuk na ka dhënë gjithmonë atë që kemi dashur e zgjedhur sepse kemi qene të vegjël dhe vazhdimisht të tradhëtuar, pa lënë pas dore paaftësinë tonë kronike për të bërë Shtet e Komb pasi elitat e botës kanë vendosur deri sot që ky popull të qeveriset nga elitat antishqiptare, ndër më të egrat që mund të ketë një popull.
Derisa të kuptojmë se si do të shkojë trajektorja e urisë, e luftës dhe e vdekjes në botë, ne do të na duhet të shtëngojmë dhe të mbajmë njëri-tjetrin fort, dhe t’ia kujtojmë të gjithë atyre që shohin ëndrra me Ballkan te Hapur Jugosllav, tre gjëra shumë të rëndësishme:
Kosova nuk është Krime
Kosova nuk është Serbi
Të shohim e të presim deri në vjeshtë dhe pas saj nëse aleatët kanë vendosur që Kosova të jetë Ukrainë apo jo!
(Fusnote: Luftërat e ndodhura në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore) :
Lufta Civile Greke (Greqi, 1946–1949)
Konflikti i Irlandës së Veriut, (1960-1998)
Konflikti bask (1959–2011)
Emergjenca e Qipros, (Qipriotët Grekë (EOKA) kundër Mbretërisë së Bashkuar, 1955–1959)
Pushtimi Sovjetik i Hungarisë (Bashkimi Sovjetik kundër Hungarisë, 1956)
Pushtimi i Çekosllovakisë (Bashkimi Sovjetik kundër Çekosllovakisë, 1968)
Konflikti ndermjet Qipros dhe Turqisë, 1974
Konflikti i Nagorno-Karabakut (Armenia kundër Azerbajxhanit, 1988-tani)
Luftërat Jugosllave, 1991–2001
Lufta Dhjetë Ditore (Sllovenia kundër Jugosllavisë, 1991)
Lufta Kroate për Pavarësi (Kroacia kundër Jugosllavisë, 1991–1995)
Lufta e Bosnjës (Bosnja kundër Jugosllavisë, 1992–1995)
Lufta e Kosovës (Kosova kundër Jugosllavisë, 1998–1999)
Kryengritja në Luginën e Preshevës (UÇPMB kundër Jugosllavisë, 1999–2001)
Kryengritja e vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë së Veriut (Ushtria Çlirimtare Kombëtare kundër Maqedonisë së Veriut, 2001)
Lufta Civile Gjeorgjiane (Gjeorgji, 1991–1993)
Konflikti i Prigorodnit Lindor (Milicia Ingush kundër Rusisë, 1992)
Lufta e Transnistrisë (Transnistria kundër Moldavisë, 1992)
Konflikti çeçen-rus
Lufta e Parë e Çeçenisë (1994-1996)
Lufta e Dagistanit (1999)
Lufta e Dytë e Çeçenisë (1999-2000)
Lufta Ruso-Gjeorgjiane (Gjeorgjia kundër Rusisë, 2008)
Lufta Ruso-Ukrainase (2014–tani)
Trazirat pro-ruse 2014 në Ukrainë
Aneksimi i Krimesë nga Federata Ruse (2014)
Lufta në Donbass (2014–tani)
Përplasjet e Kumanovës (Ushtria Çlirimtare Kombëtare kundër Maqedonisë së Veriut, 2015)
2022 Pushtimi rus i Ukrainës.
/PatriotikMedia/
Average Rating