Fakte: Si u zhvaten nëpërmjet Trukeve Shtetërore Pronat e Forcave Detare nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në 2016-ën,duke firmosur aktet Korruptive në Bazën Detare të Pashaalimanit …

9 min read

Baza detare ekzistuese e Pashalimanit u rrudh me 85 % të sipërfaqes me anë të një truku korruptiv të vitit 2016, ndërsa baza ndihmëse e Sarandës shkoi drejt shfarosjes pasi u dha me koncension. Të akuzuar janë zyrtarë të lartë mes të cilëve edhe ish ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, që gjatë vlerësimit të pronave të forcave detare më 2016-ën, firmosën copëzimin e tyre, duke lënë një pjesë të majme jashtë planit të përhapjes. Kleçka e përdorur ishte lënia e tyre pa koordinata gjeografike. Si pasojë forcat detare humbën 80 prona të lakmuara me një sipërfaqe prej rreth 480 hektarësh.

Ja si e denonconte këtë akt zoti Ferdinand Dervishi –

Ditën e gënjeshtrave, 1 prill 2021, pyetja e fundit për zhurmnajën e një procesi të dyshuar si korruptiv iu drejtua presidentit Ilir Meta në emisionin televiziv LOG.

– Më 6 korrik (2020), ju keni deklaruar se keni ngritur një grup verifikimi për çështjen e dhënies me qira të bazës detare të Sarandës. A ka një konkluzion?

Fjala ishte për një pronë të Forcës Detare, në total 26.5 hektarë, e cila me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 514, të datës 1 korrik 2020, i jepej me qira simbolike, prej 1 euroje, për 20 vjet, me anë të metodës së shumëpërfolur të Partneritetit Publik-Privat (PPP), dy shoqërive të njohura si kliente të qeverisë. Vendimi ishte publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 6 korrik 2020.
Në përgjigje të pyetjes së drejtuesit të emisionit, presidenti Ilir Meta pohoi se informacioni për Bazën e Sarandës i kishte mbërritur në zyrë gjatë asaj dite, 1 prill 2021, dhe se nuk kishte pasur kohë për ta shqyrtuar.

– Do e shikoj me vëmendje maksimale, sepse asgjë nuk mund të ndodhë në mënyrë të paligjshme dhe, e dyta, nuk mund të dobësohen kapacitetet mbrojtëse dhe të sigurisë së vendit… për më tepër që jemi vend anëtar i NATO-s”.

Ky ishte deklarimi i fundit publik lidhur me këtë zhvillim. Më tej, për muaj me radhë për çështjen e pronave të Forcës Detare nuk është ndier më askush, nëse nuk do të llogariten ca pak zëra të mekur në mediat online, si dhe Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, i cili e pagoi me largimin flagrant nga detyra dhe ushtria për kushtet në favor të shtetit që vendosi në këmbim të dhënies së Bazës Sarandës. Por, çfarë është duke ndodhur me pronat e bazave të Forcës Detare dhe si janë përfshirë në këtë aferë të rrezikshme dhe antiligjore vetë strukturat e shtetit?

Të gjithë të implikuar

Të shqyrtuara rast pas rasti, duket se pronat e ushtrisë, në këtë kuadër edhe ato të Forcës Detare, që në thelb janë pronat e gjithë shqiptarëve, janë duke u zhvatur si të ishin mall pa zot. Kjo është duke ndodhur, edhe sepse opozita, presidenti, deri thellë edhe mediet, janë duke mbyllur gojën.

Kryetari i rizgjedhur i partisë më të madhe të opozitës, Lulzim Basha, ka bërë vetëm një deklarim publik për këtë çështje, që daton më 2 korrik 2020, pra menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien me qira të Bazës së Sarandës:

“Në sekret të plotë është marrë një pjesë e territorit të bazës ushtarake navale të Marinës së Flotës Luftarake Detare në Sarandë dhe është bërë gati t’iu jepet klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do t`i jepet, por emrat e përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin çdo gjë në këtë vend… Iu bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare… të investigojnë, nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po ua falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë”.

Pak ditë më pas, i pyetur nga gazetarët, presidenti i vendit, Ilir Meta, i prekur drejtpërdrejt nga kjo histori, pasi shmangte vendimmarrjen e tij, pohoi se i kishte kërkuar ekipit të tij të sigurisë kombëtare të niste verifikimet për Bazën e Sarandës.

Por, pas këtij pohimi, edhe opozita, edhe Presidenca, do të kaploheshin nga heshtja. Opozita, përgjithmonë, ndërsa presidenti do të detyrohej nëntë muaj më pas, më 1 prill 2021, t`i jepte një përgjigje, që nuk mbartte informacion, drejtuesit të emisionit LOG, që transmetohet në televizionin ABC. Më tej të gjithë kalojnë sërish në heshtje.

Me sa duket, të gjitha palët e kanë nga një lidhje komprometuese me kompanitë private, që kanë aplikuar marrjen me qira të Bazës së Sarandës. Të shfaqura kohë pas kohe, jo vetëm si kliente të qeverisë, por edhe të opozitës dhe mbase edhe të Presidencës, duket ato iu kanë mbushur xhepat me të holla të gjithëve, sidomos gjatë fushatave elektorale.

Por, çfarë janë duke humbur shqiptarët përmes këtyre trukeve që shpiken, përpunohen dhe vulosen në zyrat qeveritare?

Së pari, truke të tilla janë duke zvogëluar dhe shkatërruar kapacitetet mbrojtëse dhe operacionale të Forcave të Armatosura. Pa një bazë ushtarake-detare solide në afërsi të Durrësit, porti më i madh i vendit mbetet i pambrojtur, ndërsa shkatërrimi i Bazës së Sarandës duket edhe më problematik, në një kohë që përbën pikën më të afërt pranë trafikut të rënduar të mjeteve ujore në Kanalin e Korfuzit – një zonë ku historia deri vonë ka depozituar në memorie incidente me pasoja të rënda.

Por, nuk mbaron. Pak kohë më parë, në fund të vitit 2019, vetë ministrja e Mbrojtjes e kohës, Olta Xhaçka, i propozoi drejtuesve të NATO-s të vendosnin/ndërtonin një bazë të tyren në Pashaliman, duke marrë edhe një përgjigje paraprake pohuese. Porse përballë faktit të zvogëlimit të sipërfaqes së bazës ekzistuese të Pashalimanit – rrudhur me 85% me anë të trukut të vitit 2016 – dhe më tej edhe shfarosjes së bazës ndihmëse të Sarandës, oferta e bërë paktit të NATO-s duket e pandershme, kjo sepse një bazë e mirëfilltë detare e NATO-s nuk mund të shtrihet në vetëm 14 hektarët e Bazës së Pashalimanit, të lënë brenda Planit të Përhapjes.

Në një tjetër kënd, zhvatja lart e poshtë e trojeve të Forcës Detare, falja apo dhënia me qira simbolike e sipërfaqeve më të lakmuara të bregdetit cenon edhe pronën publike të shqiptarëve. Kalkulime të thjeshta thonë se, nëse pronat e nxjerra nga Plani i Përhapjes do të shiteshin me vlerën e tregut, qeveria shqiptare do të mund të përfitonte deri në 200 milionë euro. Kjo do të ishte një shumë e konsiderueshme, qoftë për të ndihmuar arkën e lodhur të shtetit, qoftë për të rindërtuar nga e para apo restauruar dhe pajisur me mjetet më të nevojshme, qoftë më modernet, të gjitha bazat e rëndësishme të Forcës Detare.

SPAK nis hetimin

Pothuaj i vetëm dhe me pothuaj të gjithë kundër, zëvendëskomandanti i liruar i Forcës Detare, Artur Meçollari, e ka vazhduar betejën.

Më 31 mars 2021 ai ka paditur pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, “për shpërdorim detyre në rastin e çështjes së dhënies me qira të Bazës Ndihmëse të Sarandës”. Sipas padisë, ”Znj. Olta Xhaçka ka aprovuar lidhjen e një kontrate qiraje, e cila nuk ka ndjekur procedurën e parashikuar në aktet ligjore… duke i shkelur këto të fundit.”

Po sipas kallëzimit penal, ky propozim i ministres së Mbrojtjes, “ka dëmtuar interesin publik, pasi ka cenuar funksionimin e konceptit operacional të Forcës Detare, si dhe operacionalitetin për përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor në rajonin e Kanalit të Korfuzit dhe Detin Jon.”

Në të njëjtin dokument, Artur Meçollari ka paditur për shpërdorim detyre edhe Besnik Dervishin, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sipas Meçollarit, komisioneri nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që parashikon ligji për njohjen e kërkuesit me informacionin që konsiderohet publik.

Pas disa ditësh, më 6 prill 2021, Artur Meçollari ka depozituar pranë SPAK edhe një tjetër padi për shpërdorim detyre në adresë të Gjeneral Major Bajram Begajt, me detyrë shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Ilir Xhebexhisë, me detyrë komandant i Forcës Detare dhe kolonel Altin Kurtit, me detyrë komandant i Policisë Ushtarake. Sipas padisë, drejtuesit më të lartë të Forcave të Armatosura janë përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm, të kryer në brendësi të territorit të Bazës së Shëngjinit.

Më 29 korrik 2021, SPAK i konfirmoi autorit të këtij shkrimi se kishte nisur hetimet për të dyja këto padi, ndërsa më 14 shtator 2021 i pohoi se nuk kishte ende persona nën hetim.

Edhe pse praktikisht duhet t`i përulemi vullnetit rrezikues të një njeriu të vetëm, ndëshkimi përmes ligjit është shpresa e vetme e një populli të tërë për të shpëtuar nga skemat mafioze të grabitjes së pasurive publike.

Deri tani, të orkestruara nga maja e piramidës së pushtetit, këto skema kanë treguar se janë krijuar vetëm për qëllime kriminale. Abuzimi me pronat publike, falja e tyre klientëve apo oligarkëve si të ishin prona të lëna trashëgim nga babai, deri tani ka pasur vetëm një qëllim: mbushjen e xhepave. Le të besojmë nisjen e ca ndryshimeve domethënëse!

Ky artikull është marrë nga ina.media

/PatriotikMedia/

rreth autorit

You May Also Like

More From Author

+ There are no comments

Add yours