Nga Kastriot Çipi –
Dramaturgu zviceran i gjuhës gjermane, Fridrih Dyrrenmat, ka shkruar një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore, që titullohet “Vizita e Damës Plakë”. Drama është botuar në vëllimin me titull “Gjashtë drama” (autorë të ndryshëm) në vitet ’80. Teatri Kombëtar e ka vënë në skenë në fund të vitit 1990 dhe kushdo mund shohë në YouTube.
Drama është historia e një hakmarrjeje, që përfshin një qytet të tërë. 45 vjet para fillimit të aksionit dramatik, Alfred Ili, atëherë 20 vjeçar, ka joshur, ka lënë shtatzënë dhe më pas ka braktisur, një vajzë 17 vjeçare, të quajtur Klara Vesher. E braktisur, e përbuzur dhe e përzënë nga të gjithë, Klara e gjorë i është drejtuar gjykatës për të gjetur drejtësi: njohjen e atësisë së fëmijës nga Ili. Por drejtësia ka dështuar me turp. Alfredi ka korruptur me nga një shishe raki dy moshatarë, që kanë dalë dëshmitarë të rremë, duke deklaruar se edhe ata kanë pasur marrëdhënie me Klarën, në të njëjtën periudhë kohore.
Klara, kokëulur, e poshtëruar, e fyer dhe e tallur nga të gjithë dhe “me barkun te goja”, është detyruar të braktisë qytetin (zviceran, me emrin e sajuar Gylen), duke u betuar nën zë: Gyleni më bëri kurvë, ndërsa unë do ta bëj Gylenin bordell! Do të kthehem një ditë…!
Pak më vonë, Klara ka humbur edhe fëmijën e porsalindur. Por më pas fati i ka buzëqeshur. Në një nga bordellet ku e përplasi fati, ka njohur një klient miliarder, që më pas do të bëhej burri i saj dhe që pas vdekjes, do t’i linte trashëgim miliardat e tij.
45 vjet me radhë, Klara nuk e heq dot nga truri gozhdën. Ajo nuk gjen dot paqe, sa kohë Alfredi nuk është ndëshkuar për mëkatin e tij. Por që drejtësia të bëhet e plotë, duhet të paguajnë edhe të tjerët, duke filluar me dy dëshmitarët e rremë, por duke përfunduar me krejt Gylenin.
Klara shpenzon pa kursim paratë e saj, për të rivendosur drejtësinë, sipas mënyrës së saj. Dedektivët e saj i gjejnë dy dëshmitarët e rremë, që kishin emigruar njëri në Australi e tjetri në Amerikë. Dy vrasës të dënuar me vdekje, të cilëve ajo u ka blerë jetën dhe lirinë, duke i nxjerrë nga burgu, i tredhin dhe i verbojnë dy dëshmitarët e rremë.
Gjykatësi është tashmë kryeshërbëtori i saj.
Pas 45 vjetësh përgatitjesh në heshtje, Klara kthehet në Gylen. Qyteti është në krizë dhe depresion të thellë. E gjithë industria, dikur e lavdishme, ka falimentuar. Gylenasit furnizohen në dyqane duke shënuar borxhet në lista. Lajmi për ardhjen e gylenases Klara Vesher, që tani quhet Kler Cahanasian, ka zgjuar shpresat te gylenasit e varfër e të dëshpëruar. Ata janë të gatshëm ta zgjedhin Alfred Ilin kryetar bashkie, duke shpresuar se ai mund t’i prekë zemrën të dashurës së tij të dikurshme, që ajo ta zgjidhë qesen dhe të hedhë ca para për bamirësi.
Klara mbërrin me një ofertë të parefuzueshme: 500 milion dollarë për bashkinë dhe 500 milion dollarë për qytetarët e Gylenit. Por ajo ka një kusht: Alfred Ili, duhet të vdesë!
Me paratë e saj, ajo mund ta kishte vrarë një mijë herë Alfredin, pa kurrfarë problemi. Por ajo do që të hakmerret edhe ndaj Gylenit, duke e bërë të gjithë qytetin bashkëfajtor. Dhe gylenasit nuk kanë alternativa. Industritë e Gylenit i ka blerë të gjitha Klara dhe i ka mbyllur qëllimisht, për t’i lënë pa punë e pa bukë gylenasit.
Në momentin e parë, kryetari i bashkisë, në emër të gylenasve, e hedh poshtë me neveri ofertën. Klara largohet e qetë, duke thënë “Unë pres.” Ajo e njeh mirë jo vetëm realitetin e gylenasve, por edhe natyrën njerëzore. Oferta e saj i ka bërë të gjithë të ëndërrojnë. Gylenasit fillojnë të marrin kredi, të shpenzojnë para që nuk i kanë dhe nuk mund t’i kenë kurrë, nëse nuk vdes Alfredi.
Skenë pas skene, Alfredi kupton se bashkëqytetarët e kanë dënuar me vdekje dhe madje edhe familja e tij e ka tradhëtuar në heshtje. Ai shkon në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku do të miratohet ose do të rrëzohet me votë oferta e Klarës, nënkupto do të ekzekutohet ose jo vendimi i tij me vdekje. Alfredi e pranon fatin e tij dhe prifti i thotë se do t’i lutet Zotit për të, ai ia kthen: Lutuni për Gylenin!
Akti i fundit i kësaj drame po luhet sot në skenën e politikës shqiptare. Yuri Kim po i kërkon demokratëve ta dënojnë me vdekje politike Berishën. A ka mëkate mbi shpinë Berisha? Sigurisht që ka. Por Yuri nuk po e shpall fajtor për asnjërin prej tyre. As për moskthimin e pronave, as për moshapjen e dosjeve të Sigurimit, as për mosdekomunistizimin e Shqipërisë, as për moskompensimin e viktimave të komunizmit etj. Yuri po kërkon që Berisha të bëhet kurban për retorikat e tij sovraniste, pro Kosovës dhe kundër Sorosit. Yuri e bëri deklaratën në selinë e PD-së, pas takimit me Lulin.
Në një parti normale demokratike, Yuri nuk do të kishte guxuar ta bënte atë deklaratë, sepse do ta dinte se me siguri do të nxirrej jashtë “me shkelma” dhe do të shpallej non grata në atë seli. Brenda ditës anëtarët e partisë normale demokratike do të shkonin të protestonin para ambasadës, duke kërkuar largimin e ambasadores.
Por Luli nuk pipëtiu. As Kryesia e re e PD. As Këshilli Kombëtar. Anëtarësia mund të rebelohet në Facebook, por nuk mund të ndryshojë vendimin që tashmë është marrë. Ka mbetur vetëm që Berisha të thotë “Lutuni për Gylenin”.
Average Rating