fbpx
Lajmet me te Klikuara

Përtej një filmi me Spiunë …

Nga Erion Dasho –

Mjekët sigurisht ndihen të kërcënuar nga deklarata e Boratit për vendosjen e sistemit të spiunëve nëpër spitale i cili, sipas Boratit, do të luftojë dhënien e dhuratave për mjekët dhe infermierët.

Përtej zemëratës dhe sarkazmës së rrjeteve sociale, pyetja më e rëndësishme është: “Sa gjasa ka të japë rezultat një masë e tillë?”

Dilemën që sot Borati e jep si zgjidhje, latinët e kanë materializuar në sentencën “Quis custodiet ipsos custodes?” ose në shqip “Po rojet kush i ruan?”

Kush garanton se Borati do të gjejë disa qindra engjëj për ta kthyer shëndetësinë në një sistem ku nuk jepen dhurata, ku mjekët dhe infermierët marrin vetëm pagën dhe ku qytetarët paguajnë më pak se 100 euro në vit sigurim shëndetësor dhe përfitojnë gjithçka falas? A ka dikush besim se këta spiunë janë të ndershëm dhe të pakorruptueshëm?

Para disa vitesh në spitale u vendosën të ashtuquajturit koordinatorë, një pjesë e të cilëve u bënë fytyrat më të padëshiruara dhe qeniet më të korruptuara gjatë periudhës së COVID-it. Ku është garancia se spiunët do të jenë më të suksesshëm dhe më të ndershëm se koordinatorët?!

Për më tepër, historia nuk nis me Boratin. Tridhjetë vite më parë, shqiptarët u ndanë me Komunizmin i cili i kishte spiunët gurin e themelit të një sistemi terrori. Siç është provuar nga dokumentet e arkivave, spiunët ishin kthyer në qenie gjakatare dhe mizore, aq sa kur duhej dënuar ndonjë prej tyre gjetja e provave ishte thjesht një lojë fëmijësh.

Nga ana tjetër, nëse Borati i ka sot këta engjëj të besuar, atëherë pse nuk i vendos si roje pas ministrave, deputetëve apo kryetarëve të bashkive?

Është më e rëndësishme që një mjek fshati të mos marrë 200 lekë “rryshfet”, apo që një kryetar bashkie të japë me drejtësi një tender 1 milionë euro?

Është më e rëndësishme që një kirurg të mos bëjë “korrupsion” me 200 euro, apo që një ministër të ndajë pa abuzime fondet dhjetëra milionë euro të rindërtimit?

Sigurisht që “dëmi” që bëjnë mjekët është dhjetëra për të mos thënë qindra herë më i vogël se zullumet e qeveritarëve.

Nëse Borati do ta kishte seriozisht luftën kundër korrupsionit, këta burra (spiunë) të mirë do të ishin shumë më të vlefshëm aty ku shpërdorohen dhjetëra apo qindra milionë euro.

Problemi i Boratit është se ai nuk i do spiunët për të luftuar korrupsionin. Ai i do ata për të forcuar edhe më tej shtetin e vet policor, për të rivendosur në shoqëri frymën e spiunllëkut karakteristikë e regjimit më kriminal që kanë njohur shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre, si dhe për të realizuar atë që ëndërron çdo diktator – nënshtrimin e shtresës së intelektualëve, ku mjekët janë një ndër kategoritë më të spikatura. Në këto kushte, rezistenca ndaj spiunëve të Boratit është detyrim për çdo mjek, shoqatë mjeksore apo sindikatë. Dhe jo vetëm për ata!

Marifeti djallëzor i Boratit me spiunët ka implikime shumë përtej mjekëve dhe infermierëve, prandaj lufta kundër tij është detyrim sa për mjekët, aq edhe për krejt shoqërinë! Sa për dhuratat që u jepen mjekëve dhe infermierëve, ky fenomen nuk luftohet me spiunë, por me reforma!

Fatkeqësisht, Borati dhe boratët këtë nuk e kuptojnë dot. Një zinxhiri komandimi që nis me një piktor, vazhdon me një kimiste për të përfunduar me një klarinetist, deri tek spiunët i arrin vizioni …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous post “Etika morale” e Partisë Shtet….!!
Next post Drejtoresha e CDC përqafon Tiraninë dhe Gënjen Amerikanët me Tezën e Re të Globalistëve ‘Pandemia e të Pavaksinuarve ?’
error: Materiali eshte i mbrojtur !!