Amerikë…Biblioteka 100 m larg nga shtëpia ime është akoma e mbyllur. Librat dremisin nëpër rafte. Stafi i bibliotekës afishon libra falas në hyrjen e ketij tempulli. Panair me libra falas. Këtu perandoritë jepen badiava…
Covid-19 më ndau nga e dashura që mezi e gjeta. “Deri sa vjen me maskë dhe ke frikë të më puthësh, më mire largoju nga unë”, – më shkroi ajo në Viber. U trishtova. Eshtë e vështirë të gjesh të dashur në moshën time! Do ta provoni vetë. Ish-e dashura ime, e cila erdhi në Amerikë nga një ishull grek afer Katerinit ma preu shkurt: “Zura një të dashur tjetër”, më tha.
Mundohem të gjej ngushëllim te miqtë e mi, ata janë shenjtorët e mi të parë. Por shumë nuk jetojnë më, ndërsa këta të gjallët i kërkoj me qirinj, se janë të moshuar, nuk dëgjojnë edhe pse kanë vendosur aparate. Prostati, një tjetër Covid, por jo ngjitës.
U telefonoj por disa nuk dinë as ta hapin celularin, këtë shpikje magjike, me të cilën mund të numërosh gjithë rrudhat e fytyrës, gjithë plagët, të testosh mushkëritë. Më vjen keq për ta kur dëgjoj se nuk janë mirë me shëndet, sidomos kur grinden me fëmijët, me gratë.
“Unë me këtë pension nuk dalë dot as nga pragu i shtëpisë” – me thotë në telefon një ish-koleg nga Vlora: “Këtu të gjithë grindemi, vjedhim njëri-tjetërin, mashtrojmë… Si nuk doli më pare kjo PËRPUTHJA! Ah sa vonë! Të paktën të PËRPUTHEN Shqiperia me Evropën, pa dyshim edhe deputetët…”
Skleroza qënka më e keqe se Covid-19. Vaksina e Covid-19, u gjet, ndërsa ajo e sklerozës akoma jo. Edhe unë harroj ibrikun në sobë, apo pantallonat zbërthyer. Edhe qeveritarët tanë vuajnë nga skleroza. Vuan Berisha, Meta, Rama, Basha…
Siç e shihni, jam në telash të madh sepse jam vetëm. “Ҫ’tu desh Amerika”, – fajësoj veten time. Por është tepër vonë. Tani, fjalën SENJOR, ma kanë vulosur ngado, madje edhe atje poshtë. Sidoqofte, nuk mund të ndahem nga miqtë. Pas Vlorës, mendoj të telefonoj një shok në New York. Atje ku jeton ai është bërë si lagje e Fierit, flitet vetëm shqip. E njëjta gjë edhe këtu në Filadelfia, në Richmond, ku jetoj unë.
I bie numrit. Ai e vështron botën nga karroca, mezi lëviz. Nis më bërtet në rusisht. Unë e lë të flasë në atë gjuhë rinie dhe dashurie për disa minuta. Kur lodhet, ai dëshiron të dijë kush jam unë. Pas kësaj më përsërit të njëjtat ngjarje për të njëqindën herë, të njëjtët emra, data, por unë e dëgjoj si për herë të parë. Dhe kështu do të vazhdoj ta dëgjoj se unë e dua atë, e kam shokë fëminije..
Kam disa miq të mirë në Kanada. Njëri është shumë i sëmurë. Jemi miq që nga koha e shkollës së mesme, Teknikumi i Naftes. Unë flas me të rregullisht. Paska më keq se sëmundja. Biseda është shumë e trishtuar. “Kam dy fëmijë këtu po ata nuk flasin me mua”, – thotë dhe çon rënkime si fishekzjare.
Një tjetër nga Michigani më thotë se qeveritë shqiptare janë prostituta, thonë se do të bëjnë ligje, se do të dënojnë Berishën. Llallen, Ҫobon e PETROMANASIT. Vetëm me abuzimet e Ҫobos, ndërton nje Shqiperi tjeter. Kështu 30 vjet tallen me njerëzit.
Ata duan të bëjnë ligje me ndihmën e të huajve, por të huajt duan naftë, ar, plazhe, kurva shqiptare. Ku shkojnë pasuritë tona kombetare? Ku, ku, ku, ku, ku? Sa shumë kurva paska kjo Shqipëri e vogël!? Studiot, shoqatat, grupet, partitë po përmbyten me prostituta. Ah po, kemi edhe vëzhgues ndërkombëtarë, nga ata që blejnë me tapi.
Disa janë prostituta organike, pa kolesterol. I vini re kur ngjiten në shkallët e parlamentit, provokojne sex me modën e brekëve? Nga ana tjetër, kavalierët testojnë modelet e mjekrave. Padyshim për Mis Shqipëria kandidat i parë është Rama.
Refreni shqiptar shfaqet edhe në telefonatat e mia: “Kur do dënohet ky Berisha”? Miq, mos harroni, askush nuk do të dënohet derisa ne Shqiperi ka nafte, krom, hekur, flori, plazhe, pasuri të lira, kurva me dhe pa brekë…
Në Shqipëri vallëzojnë ujqit. Unë ujq për here të pare kam pare në fshatin tim, në Rrajcë, atje në mal kur isha i vogël. Pra, mos shkoni larg, shikoni Rrajcën time. Rrajca ime është pushtuar nga ujqërit gjermano-shqiptarë të cilët nuk kanë lënë lëndina dhe pemë…
Bie në mendime të thella. Diku lexoj: Mos shpreso kot që me lutje të mund të ndryshosh dekretet e perëndive…
Autori, Ahmet Çollaku, ish-naftëtar jeton në SHBA. Materiali është botuar në rubrikën Letër Kryeredaktorit, në DITA
Average Rating