Nga Elona Caslli
Po kthehesha në shtëpi, pas një dite krejt të zakonshme pune. Rruga që përshkoj çdo ditë, kur shkoj në punë nuk më pëlqen. Është estetikisht e dhunshme. Do të më pëlqente të punoja në anën tjetër të qytetit dhe çdo mëngjes të numëroja hapat e mi në rrugën e liceut. Është aq e bukur ajo rrugë.
Megjithatë, për të përjetuar sa më pak dhunën dhe ndotjen pamore, gjatë rrugës për në punë futem rrugicave.
Dhe në një ditë me shi, një copëz trotuari ishte mbuluar krejt me gjethe. Unë po ecja me çadrën e hapur dhe për një çast ma tërhoqi vëmendjen ajo copëz betoni e veshur me gjethe.
E vendosa çadrën mbi to dhe bëra disa shkrepje. Ishte paksa i veshtirë si proces, sepse këmbësorët kalonin dhe ndërhynin pa pikë mëshire në shkrepjen time dhe teksa unë kisha kapur këndin e duhur, ndërkohë që shiu vazhdonte të derdhej mbi ekranin e celularit, krejt papritmas shfaqej këmba e një njeriu që me shumë gjasa po kthehej në shtëpi si unë.
Do të doja të kisha mundësinë si në një video të shtypja butonin ‘stop’ të këmbëve dhe ato të mbeteshin në ajër, sa ta shkrepja atë foto. Sikur të mund ta ngrinim botën që na rrethon, për një çast nuk do të ishte keq. Veç për një çast, të ndiheshim zot të çastit.
Sidoqoftë, numërova disa këmbësorë para se ta shkrepja foton, por me kokëfortësi arrita që ta kapja çastin, pa praninë e tyre në sfond.
Post Scriptum- E nëse ju qëllon, që në një ditë me shi, të shihni një çadër mes gjethesh, mendojeni dy herë para se të hidhni hapat, pasi pronari ose pronarja e çadrës mund të jetë në përpjekje të vazhdueshme për të fotografuar një çast.
Ribotim
Average Rating