Mandati i pakufizuar i kryetarit nuk krijon një forcë politike të shqiptarëve, por thjesht ushtri të kryetarëve. Për të gjithë shqiptarët është e qartë se mandati pakufizuar i kryetarëve ka krijuar monopole politike – dukshëm këto monopole prodhojnë në mënyrë të pamerituar të mira ekonomike dhe politike për kryetarët dhe të preferuarit e tyre nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, vetëm mundim e harxhim për gjithë të tjerët. Kjo ka sjellë edhe rritjen e mosbesimit tek politikanët, sidomos kur këta të fundit kanë 30 vjet pa lëvizur nga vendi, si persona apo si modele suksesi e udhëheqësie.
Për aq kohë sa mandati i kryetarit nuk do të kufizohet dhe kushtëzohet në statut në përputhje me humbjen apo fitoren e zgjedhjeve, atëhere e gjithë piramida e partisë – në pushtet apo në opozitë – kurrë nuk do t’i bindet dhe zbatojë ligjin e shtetit dhe moralin e qytetarit, por do zbatojë verbërisht vetëm “ligjin dhe moralin” e kryetarit. Kjo prodhon edhe rezultate me nga 80% apo më shumë mbështetje nga anëtarësia, sa here ka “zgjedhje” për kryetar.
Kjo, në gjykimin tim, është rrënja e korrupsionit në Shqipëri, rrënjë e fshehur dhe e mbrojtur në statutet e partive, e gatshme për t’u mbjellë në qeverisje. SPAK-u nuk ka tagër mbi këto statute. Mbi këto statute që krijojnë kryetarë të përjetshëm dhe ushtri që u binden atyre verbërisht ka efekt vetëm vota e qytetarëve. Tre humbje rrjesht mendoj se do duhet të ishin të mjaftueshme për të reflektuar mbi këtë. Apo jo? Po? Jo? Si të doni!
Por nëse mes PS dhe PD, nuk është PD që kufizon dhe kushtëzon mandatin e kryetarit, atëhere shqiptarët do vijojnë të votojnë PS dhe jo PD, sipas logjikës së thjeshtë që nuk pse të këmbejnë origjinalin me kopjen. Kjo është masakra e vërtetë elektorale!
Average Rating