fbpx
Lajmet me te Klikuara

Europë & BE

Nga Aurel Plasari

Nuk mund të mos bezdisesh kur ende lexon llomotitje politikanësh – edhe rinorë madje! – për “t’u integruar në Europë”, për “ta futur Shqipërinë në Europë”, për “ta merituar Europën” etj. Tridhjetë vjet u bënë, sot u mbushën tridhjetenjë, që paska ende politikanë të cilët nuk e dinë dallimin thelbësor mes dy koncepteve “Europë” dhe “Bashkim Europian”.

Nuk dinë pra që Shqipëria, qysh kur është Shqipëri dhe qysh kur ka qenë Arbëri etj., ka bërë dhe bën pjesë në Europë. Në Europën si koncept gjeo-historik. Edhe kur ka qenë nën turkokracinë, po në “Turqinë Europiane” bënte pjesë. Si edhe kur ka qenë nën diktaturën e socializmit real, atij në ndërtim e sipër 😉 , po në Europë ndodhej.

Sepse të jemi në Europë nuk do të thotë as edhe të jemi “burra të mirë”. Gjermania ka qenë në Europë edhe kur ishte naziste. Italia ka qenë në Europë edhe kur ishte fashiste. Madje polakët, fjala vjen, kanë qenë në Europë edhe kur u qëlloi të mos kishin shtet etj. Shqipëria nuk ndodhet në Azi, që dikush ta vërë mbi rrota dhe… ta çojë në “Europë”!

“Bashkimi Europian” ai po, është një entitet tjetër, ekonomik dhe politik, si bashkim me marrëveshje i një numri shtetesh. Shtetet e atij bashkimi në fillim kanë qenë më pak, tani janë më shumë, nesër a pasnesër mund të jenë edhe më shumë, siç mund të jenë edhe më pak.

Ndërkaq Shqipërinë nga Europa dhe përkatësia europiane nuk e zhvendos dot askush. Ajo është pjesë e Europës, pavarësisht në bën apo jo pjesë në bashkimin e përmendur të një numri shtetesh (BE).

Ata politikanë që nuk e dinë dallimin praktik mes dy koncepteve “Europë” dhe “Bashkim Europian” jo vetëm fyejnë vetveten, por cenojnë përkatësinë europiane të vendit të cilin pretendojnë – me çdo kusht – ta qeverisin.

Të vërtetat duhen përsëritur, ripërsëritur dhe stërpërsëritur gjithë sa herë përsëriten edhe budallallëqet. Kështu i kam përsëritur edhe në intervistat publike, siç po i postoj më poshtë.

Ndonëse nuk e kam kuptuar dot se përse të vërteta kaq të thjeshta qenkëshin dukur “deklarata të bujshme”.

GALERIA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous post Ekzekutohet në Rezidencën e tij Private,Presidenti i Haitit Jovenel Moise .(VIDEO)
Next post Në favor të Familjes! Pa asnjë Dyzim …
error: Materiali eshte i mbrojtur !!